Njerëzit kanë prirjen t’i perceptojnë identitetet e tyre si të qëndrueshme e kryesisht të ndara nga forcat e jashtme. Por përgjatë vitevesh kërkime dhe praktikë terapike, jam bindur se ndryshimi ekonomik ka një ndikim të thellë, jo vetëm në cilësitë tona, por dhe në personalitetin tonë. Tridhjetë vjet neoliberalizëm, forca të tregut të lirë dhe privatizime kanë lënë vragat e tyre, ndërsa presioni i vazhdueshëm janë bërë normë. Nëse e lexoni këtë me skepticizëm, unë po ju vë përpara këtë deklaratë: neoliberalizmi meritokratik favorizon disa cilësi të personalitetit dhe ndëshkon disa të tjera.
Sot nevojiten disa karakteristika ideale të caktuara për të bërë karrierë. E para është artikulimi, me synimin për të joshur sa më shumë njerëz të jetë e mundur. Kontakti është sipërfaqësor, por meqenëse kjo ndodh me pjesën më të madhe të komunikimit ndërnjerëzor, nuk do të bjerë në sy.
Është e rëndësishme të jesh në gjendje të flasësh për aftësitë e tua sa më shumë të mundesh – ti njeh shumë njerëz, ke shumë përvojë mbi shpatulla dhe së fundi ke realizuar një projekt me rëndësi. Më vonë njerëzit do zbulojnë që këto kanë qenë mashtrime, por fakti që fillimisht ata u gënjyen varet nga një karakteristikë tjetër e karakterit: mund të gënjesh me bindje dhe të ndjesh shumë pak turp. Ky është shkaku pse ti nuk mban përgjegjësi për sjelljen tënde.
Mbi të gjitha, ti je fleksibël dhe impulsiv, gjithmonë në kërkim të stimujve dhe sfidave të reja. Në praktikë, kjo çon në sjellje me rrezik, por s’ka gjë, nuk do të jesh ti ai që do të riparojë gjendjen. Burimi i frymëzimit për këtë listë? Lista e psikopatisë, nga Robert Hare, specialisti i mirënjohur për psikopatinë sot.
Ky përshkrim është, natyrisht, një karikaturë e ekzagjeruar. Megjithatë, kriza financiare ilustroi në nivel makro-social (për shembull, në konfliktin mes vendeve të eurozonës) atë që meritokracia neoliberale u bën njerëzve. Solidariteti kthehet në objekt luksi dhe u hap rrugën aleancave të përkohshme, me preokupim parësor që të nxjerrë fitim më shumë prej situatës se konkurencës. Lidhjet shoqërore me kolegët dobësohen, e po kështu ndodh me përkushtimin emocional ndaj kompanisë apo organizatës.
Diskriminimi ka qenë i kufizuar në shkolla, tani është sjellje e zakonshme në vendet e punës. Kjo është një simptomë tipike e të pafuqishmit që shkarkojnë furstrimin e tij ndaj të dobëtit – në psikologji njihet si agresion i zhvendosur. Ka një ndjenjë frike të mbuluar, që varion nga ankthi deri në frikë sociale më e gjerë e kërcënimit prej tjetrit.
Vlerësimet e vazhdueshme në punë shkaktojnë rënie të autonomisë dhe varësi në rritje ndaj normave të jashtme, në ndryshim të shpeshtë. Rezultati është ajo që sociologu Richard Sennett e ka për shkruar si “infatilizimi i punëtorëve”. Të rriturit shfaqin shpërthime fëmijërore dhe bëhen xhelozë për gjëra pa rëndësi (“Ajo mori karrige zyre të re, kurse unë jo”), përdorin gënjeshtra të bradha, mashtrojnë, kënaqen me rënien e të tjerëve dhe kultivojnë ndjenja hakmarrjeje oridinere. Kjo është pasojë e një sistemi që i pengon njerëzit të mendojnë në mënyrë të pavarur dhe nuk ia arrin t’i trajtojë punonjësit si të rritur.
Më e rëndësishme, megjithatë, është dëmtimi serioz i respetit të njerëzve për veten. Respekti për veten varet në njohjen që ne marrim nga tjetri, siç kanë treguar mendimtarë nga Hegeli te Lacan-i. Sennett arrin në një përfundim të ngjashëm kur shikon se pyetja kryesore e punonjësve në ditët e sotme është “Kush ka nevojë për mua?” Për një grup njerëzish në rritje, për gjigja është: askush.
Shoqëria jonë proklamon vazhdimisht se çdokush mund t’ia dalë nëse përpiqet mjaftueshëm, ndërkohë që shtrëngon privilegjet dhe shton presionin ndaj qytetarëve të lodhur e të mbingarkuar. Një numër njerëzish në rritje dështojnë, e ndihen të poshtëruar, fajtorë dhe të turpëruar. Përherë na thonë se jemi më të lirë se kurrë të zgjedhim rrjedhën e jetës sonë, por liria për të zgjedhur jashtë narrativës së suksesit është e kufizuar. Për më tepër, ata që nuk ia dalin janë të destinuar të jenë dështakë ose parazitë, që përfitojnë nga të mirat e sigurisë së sistemit tonë social.
Meritokracia neoliberale mundohet të na bindë se suksesi varet nga përpjekjet individuale dhe talenti, që do të thotë se përgjegjësia është tërësisht e individit dhe autoritetet duhet t’i japin individit sa më shumë liri të jetë e mundur që të arrijë qëllimin e tij. Për ata që besojnë në përrallën e zgjedhjes së pakufizuar, vetëqeverisja dhe vetëmanaxhimi janë mesazhe politike superiore, veçanërisht nëse në dukje premtojnë lirinë. Bashkë me idenë e përsosmërisë së individit, liria që ne perceptojmë sikur e kemi në perëndim është gënjeshtra më e madhe e ditëve të sotme dhe kësaj epoke.
Sociologu Zygmunt Bauman e ka përmbledhur me kujdes paradoksin e epokës sonë: “S’kemi qenë kurrë kaq të lirë. S’jemi ndjerë kurrë kaq të pafuqishëm.” Vërtetë jemi më të lirë se më parë, në kuptimin se mund të kritikojmë fenë, mund të përfitojmë nga liria ndaj seksit dhe mund të përkrahim partinë politike që pëlqejmë. Ne mund t’i bëjmë të gjitha këto gjëra sepse ato nuk kanë më asnjë rëndësi – kjo lloj lirie buron nga indiferneca. Ndërkohë, jeta jonë e përditshme është kthyer në një betejë të vazhdueshme me burokracinë që do të gjunjëzonte dhe Kafkën. Ka rregulla për çdo gjë, nga përmbajtja e kripës në bukë te mbajtja urbane e shpendëve.
Liria jonë e prezumuar është e lidhur me kusht qendror: duhet të jemi të suksesshëm – që do të thotë, “të bëhemi” dikush. Nuk është nevoja të kërkoni shembuj. Një individ i shumëkualifikuar që vendos detyrën e prindit para karrierës bëhet objekt kritike. Një person me punë të mirë që nuk pranon ngritje në detyrë se do që t’u kushtojë kohë gjërave të tjera shikohet si i çmendur – po qe se ato, gjërat e tjera, nuk garantojnë sukses. Një vajzë e re që dëshiron të bëhet mësuese e ciklit të ulët i thuhet nga prindërit se duhet t’ia fillojë me një master në ekonomi – një mësuese e ciklit të ulët, çfarë mund të mendojë tjetër ajo?
Vazhdimisht shfaqet shqetësimi për të ashtuquajturën humbje të normave dhe vlerave në kulturën tonë. Megjithatë, normat dhe vlerat tona përbëjnë një pjesë integrale dhe thelbësore të identitetit tonë. Kështu që ato nuk mund të humbasin, vetëm ndryshojnë. Dhe pikërisht kjo ka ndodhur: një ekonomi e ndryshuar pasqyron etikë të ndryshuar dhe sjell ndryshime në identitet. Sistemi ekonomik aktual nxjerr në sipërfaqe të keqen brenda nesh.
Paul Verhaeghe, Prof. Dr, është drejtues i departamentit të psikoanalizës dhe psikologjisë këshëllimore në Ghent University.