Keno Kotorri
Jashtë çdo dyshimi që e kaluara ka lënë gjurmë të shumta, shpesh të pashlyeshme në mendësitë e njerëzve që e kanë përjetuar atë periudhë. Janë po ashtu të shumtë ata që qysh nga nëntëdhjeta, koha kur ju ka mbetur sahati, presin “të realizojnë idealet” e t’u kthehen favoret dhe pushteti (ata nuk përdorin kurrë fjalën qeverisje), sepse i takojnë nomenklaturës së deridjeshme apo pinjollëve të tyre.
Pavarësisht arsyeve për të cilat njerëzit këmbëngulin në kërkesën e tyre për Lustracionin (shumë e thjeshtojnë si shqiptarë me hapjen e dosjeve), mendojmë se kanë të drejtë, sepse vetëm kështu do të ndahemi nga e kaluara. Vetëm kështu do të mbyllim një kapitull të mbrapshtë të historisë shqiptare, si dhe do të shmangim rrezikun që protagonistët dhe veglat e tyre të na pengojnë në transformimin e vendit për mirë. Lustracioni (pastrimi) është një nga aspektet e dekomunistizimit që evropianët e kërkojnë nga të gjitha vendet ish-komuniste, i kuptuar si dënim dhe heqje dorë nga praktikat e asaj kohe, idetë le t’i mbajë kush ja ka ngenë. E pandarë është dhe kërkesa për falje për krimet e asaj kohe që nga e majta shqiptare ende nuk është bërë.
Në të gjitha vendet që kanë kryer një proces të tillë paqësimi të shoqërisë, duke dënuar të kaluarën, për të mos u përsëritur ajo, kanë vendosur norma të qarta për të shmangur nga postet që hartojnë dhe zbatojnë politikat, ata që deri dje kanë patur funksione të tilla, si dhe ata që i kanë shërbyer diktaturës në dëm të të tjerëve. Vetëm kështu mund të krijohet një klimë paqësimi dhe shmangie e konfliktualitetit politik, i cili është i tejskajshëm në vendin tonë.
Nga shkrime të herëpashershme në shtypin shqiptar, si dhe nga shpjegime që na kanë dhënë ata që njohin problemin si këtu, ashtu dhe zgjidhjet që janë zbatuar në vendet e tjera, kemi kuptuar se ndër ne, në vitet ’92-’96, masat që duheshin marrë në këtë drejtim kanë qenë të pjesshme dhe janë zbatuar në mënyra selektive.
Të interesuar për problemin që po shtrojmë, arritëm kohët e fundit të kemi në dorë, edhe pse për pak kohë, Projekt Ligjin e fundit (2011-2) hartuar nga Grupi Shqiptar për të Drejtat e Njeriut në bashkëpunim me ekspertë gjerman. Për të edhe ka pasur shkrime informuese në shtyp, por duket se partive kryesore nuk iu intereson ky proces deri sa heshtën (për turpin e së djathtës) e nuk e shqyrtuan. Kështu nuk zgjidhet përfundimisht ndarja nga e kaluara që kërkohet me ngulm nga Evropa.
Duke kontaktuar njerëz të ndryshëm, e duke diskutuar për të gjetur arsyen, kemi rënë në të njëjtin mendim se krerëve u intereson t’i përdorin mëkatarët si vartës të bindur, e pa më të voglin dyshim, për punë të këqija.
Në të tilla rrethana, miratimi dhe zbatimi i Ligjit duhet të shoqërohet me disa të dhëna që publiku ka të drejtë t’i dijë për të gjykuar Liderët.
- Sa anëtarë Qeverie, Deputetë, anëtarë të strukturave drejtuese të PD-së si dhe Zëvendësministra, Prefektë, Kryetarë Bashkie, Ambasadorë, Gazetarë, e të barabartë me ta, pra politikë hartues dhe drejtues deri dhe bashkëpunëtorë të Sigurimit, të cilët duhet të kontrolloheshin sipas Ligjit, nuk u larguan apo u mbajtën fshehur anëtarësisë dhe drejtuesve të PD-së nga ana e Sali Berishës???
- Bëjmë natyrshëm pyetjen: këta individë, që filloi t’i grumbullonte qysh me takimin e parë me Ramiz Alinë (që siç thuhet disa edhe ia rekomandoi) u mbajtën nga Ai për t’i përdorur “për punë të këqija”, duke i shantazhuar, apo u vendosën në poste të tilla të rëndësishme dhe përcaktuese për ndërtimin e një Shqipërie Demokratike nga vetë Berisha? Apo në bashkëpunim të ngushtë e të vazhdueshëm me një shtab okult të PS-së dhe Sigurimit të Shtetit në dëm të shqiptarëve???
- Së fundi pyesim: si do të veprojë Qeveria e sotme dhe vetë Edvin Rama me ta, d.m.th a do ta miratojë Ligjin përkatës… dhe do ta kryejë Lustracionin e dekomunistizimin???
Ne mbetemi të mendimit se duhet të dimë dhe kemi të drejtë të dimë gjithçka kërkuam më sipër, por dhe të tjera të vërteta, sepse përgjigjja për pyetjet e mësipërme do të ndihmojë secilin prej nesh për të kuptuar dhe shpjeguar historinë e këtyre viteve, për të njohur fajtorët dhe strukturat që na zvarritën në këtë tranzicion, duke na futur në një tunel ku nuk shohim ende dritë në fund të tij. Vetëm kështu njerëzit do të arrijnë të kuptojnë arsyet përse Salibashistët e sotëm me ndihmën edhe të këtyre individëve, krahas të korruptuarve tetë viteve, mbajnë peng opozitën dhe ndihmojnë rilindjen e etatizmit dhe përkrahjen e figurave kriminale të së kaluarës.
Nuk është çështje transparence dhe kërkesë apo e drejtë informimi, por detyrim moral dhe politik i drejtuesve të vendit, për t’u pastruar klasa politike që të mund të fitojë besimin e popullit dhe të drejtën për të na qeverisur e të na krijojnë besimin se Shqipëria do bëhet.