Carangthi
Përshkimi i Rrugës së Kombit me një pagesë rreth 10 euro, për trajektoren më të gjatë, ishte ndër të paktat lajme të javës që preknin drejtpërdrejtë interesat e qytetarëve, paçka se me sebepin e miratimit të reformës mund të kapërdinim çdolloj sakrifice. Përtej cinizmit dyplanësh, ku të vetmen autostradë – edhe ajo në tentativë – mund ta mirëmbante shteti shqiptar, ose, nga ana tjetër, duke qenë ‘rrugë kombi’ mund të pretendohej se duhet mbajtur nga bashkëkombësit, infrastruktura rrugore ka një kosto jo të ulët mirëmbajtjeje, dhe prandaj kombe e shtete europiane më dinjitoze ia kanë deleguar një barrë të tillë vetë qytetarëve-udhëtarë. Kështu ndodh në Kroacinë e sapobërë europiane, për të qëndruar në rajon, e kështu është konsoliduar prej dekadash në Itali, i të cilës jemi shpeshherë karikaturë, dhe lista është shumë më e gjatë. Me fjalë të tjera, pagesa për kalimin në autostrada është normale dhe nuk mund të bënte përjashtim një shtet i vagullt si ai i shqiptarëve.
Çështja është kostoja e kalimit, që me sa kuptohet, nëse për rreth 111 km (Milot-Morinë) e paplotësuara kushton 5 euro, rezulton e lartë krahasuar me dy shtetet e sipërcituara: Zagreb-Ravca, diku rreth 467 km, kushton 191 kune (25,50 euro), Venecia-Verona, rreth 105 km, kushton 7,90 euro (edhe këtu kostoja luhatet sipas zonave). Pra shqiptarët do të paguajnë njëlloj sa kroatët dhe gati sa italianët, të cilët nga ana tjetër kanë të ardhura vjetore mesatare për frymë dy-katër herë më të larta. Si mund të kushtojë mirëmbajtja në Shqipëri njëlloj sa në Kroaci, kur pagesa mujore mesatare (bruto) në Shqipëri përllogaritet rreth 278 euro (më e ulëta në rajon), ndërsa në Kroaci kap shifrën 1039 euro? Ky është maskarallëku.
***
Nga ana tjetër, mirë e kemi, se në vend të përqendrimit të energjive të protestës te kostoja, (1) ose e konceptojmë shfrytëzimin e aseteve kombëtare si detyrim i shtetit për të ofruar shërbime falas, ndonëse shteti në fjalë është administrator, duke treguar sërish mutacionin e trashëguar nga regjimi, ku shteti ishte babai, apo rizbulimin pas 1990 të indit të organizmit shoqëror primitiv, ku secili mendon se është pronar e për rrjedhojë ngul kioska e hap barrierat e rrugëve ku t’i teket, (2) ose, kur nuk mjafton armiku i brendshëm, nxjerrim nga sënduku i memories armikun e jashtëm, në këtë rast turkun. Ja disa nga titujt e mediave e portaleve shqiptare:
Urrejtja e Ramës ndaj Rrugës së Kombit shndërrohet në haraç otoman (Gazeta 55), Rruga e Kombit në “duar” të turqve (ABC news), Rruga e Kombit për 30 vjet në duar të Turqisë (Koha), Rrugën e Kombit e marrin turqit (Shekulli), Shqipëria u jep turqve Rrugën e Kombit (Shqipëria ime).
Janë më se të imagjinueshme komentet që prodhon vulgu i internetit i frymëzuar prej kësaj mënyrë informimi, e cila vërtet kërkon audiencë, sepse lajmi shitet më shumë për vetë rrjedhën e ngjarjeve në Turqi pas grushtit të shtetit, por ndërkohë përdor mekanizma të memories që çlirojnë mllef e marrëzi kolektive në nivele e intensitete të ndryshme. Për ta ilustruar në mënyrën më përmbledhëse:
«Përveq qmimit shumë të larte të biletes se kalimit në autostrate, eshte jashte qdo llogjike njerezore te kalosh neper Mirdite, simbolin e qendreses, e rrezietences ndaj pushtuesve otomane, e te paguash taksen kompanise turke!! Nuk jam kunder pageses, se paguhet ne te gjithe boten, por me qmim te arsyeshem, dhe kjo pagese te administrohet nga shteti shqiptar ose nga nga nje kompani Amerikane, Europiane, Kanadeze, Ausraliane, etj. Duhet te merret parasyshe edhe trashegimia kulturore e historia e treves së Mirdites».
Kështu është kur populli edukohet të jetë injorant. Në një gjendje të tillë, problemi mbetet i brendshëm dhe amplifikohet nga verbëria, e as nuk ka ndonjë dritë shprese nëse zgjidhja vazhdon të projekohet në Amerikë, Ausrali a Polinezi, aq më tepër kur kjo gjeografi tregtohet si kundërpeshë e një rreziku nga ndarja qytetërimore. Në këtë frymë suprioriteti, pastërtie racore e virtytshmërie krahinore të vjen në mendje një rrëfim i Pjetër Bogdanit, i cili me siguri nuk mund të thuhet se ishte dashakeq në kujtime, ndrsyhe nga “i mallkuari” Schmitt apo çdo historian turk, në një epokë që sot sherben edhe si rezervuar patetik identitetesh kolektive:
Dhe ky qe me fat, ndryshe nga kushëriri i tij:
Marrë nga: Luigj Marlekaj , Pjetër Bogdani e Shqipnia e kohës së tij, Shkodër 2008, f. 111, 219.